+355 67 221 1323

Na kontaktorni ne numrin e telefonit

Kushtet për t’u bërë Avokat

Në ligjin nr.55/2018 “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë” janë të përcaktuara në mënyrë të detajuar kushtet që një person duhet të plotësojë për të ushtruar profesionin e avokatit.

Së pari duhet që të ketë përfunduar studimet e larta pranë Fakultetit të Drejtësisë në një universitet publik ose privat, brenda ose jashtë vendit dhe të jetë pajisur me diplomën përkatëse të përfundimit të ciklit të dytë të studimeve, ose ekuivalente me të sipas ligjit për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë, për studentët e diplomuar në universitete jashtë vendit.

Më poshte po rendisim në mënyrë të detajuar kushtet per tu bere Avokat në Republikën e Shqipërisë:

a) të ketë zotësi të plotë juridike për të vepruar;
b) të ketë përfunduar programin e ciklit të dytë të studimeve universitare për drejtësi brenda vendit, ose diplomë të njësuar me të, apo të ketë përfunduar studimet universitare për drejtësi jashtë vendit, të njohur dhe njësuar sipas legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë;
c) të ketë kryer stazhin e kandidatit për avokat për një periudhë jo më pak se një vit pranë një avokati, që ushtron profesionin në Republikën e Shqipërisë dhe të ketë marrë vlerësim pozitiv prej tij;
ç) të ketë përfunduar me sukses programin e trajnimit fillestar pranë Shkollës së Avokatisë dhe të jetë pajisur me certifikatën përkatëse;
d) të mos jetë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë:
i. për një vepër penale të kryer me dashje, për të cilën nuk është rehabilituar;
ii. për një vepër penale të kryer me pakujdesi, për të cilën nuk është rehabilituar dhe që cenon figurën dhe integritetin e profesionit të avokatit, të përcaktuara në Statutin e Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë;
iii. për një vepër penale të kryer me dashje, për të cilën është rehabilituar, kur vepra penale cenon figurën dhe integritetin e profesionit të avokatit, të përcaktuara në Statutin e Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë
dh) të mos ketë marrë masën disiplinore të heqjes së titullit të avokatit me vendim të Komitetit Disiplinor, me përjashtim të rastit kur kjo masë disiplinore është shuar sipas nenit 49 të këtij ligji;
e) nuk është shkarkuar nga ushtrimi i detyrës ose funksionit publik, për arsye të integritetit etik, me vendim të organit kompetent, që ka marrë formë të prerë, me përjashtim të rasteve kur masa disiplinore është shuar sipas legjislacionit të posaçëm;
ë) të kalojë me sukses provimin kualifikues të avokatisë, sipas rregullave të përcaktuara në këtë ligj,
në Statutin e Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë dhe në rregulloren përkatëse;
f) të paguajë tarifën e fitimit të titullit profesional “avokat”, të përcaktuar me vendim të Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë.

Të drejtën për fitimin e titullit Avokat e ka dhe çdo shtetas i huaj i cili plotëson kriteret e mësipërme dhe që vërteton zotërimin e gjuhës shqipe me anë të një dokumenti të lëshuar nga autoritetet shqiptare kompetente. Avokatët e ushtrojnë profesionin në mënyrë individuale ose në bashkëpunim, të organizuar në zyra ose studio avokatie.

Organizimi në studio avokatie kërkon më parë miratimin nga Dhoma e Avokatisë e Shqipërisë studiot e avokatisë mund të jetë në formën e ortakërisë dhe në përputhje të plotë me dispozitat ligjore për shoqëritë tregtare në Republikën e Shqipërisë. Pranë çdo zyre apo studio avokatie duhet të mbahet regjistri i veprimeve të avokatisë, i cili çelet në përputhje me formën dhe dokumentacionin standard të miratuar nga Dhoma e Avokatisë të Shqipërisë, sipas rregullave të përcaktuara në statutin e Dhomës.

Avokati gjatë ushtrimit të profesionit nuk mund të ushtrojë njëkohësisht detyrën e gjyqtarit, prokurorit, noterit, përmbaruesit si dhe asnjë funksion apo detyrë tjetër në organet publike, me përjashtim të mësimdhënies në fakultetin e drejtësisë të universiteteve publike ose private, brenda ose jashtë shtetit.

 

Kushtet për t’u bërë Avokat
Kushtet për t’u bërë Avokat